Haskuka paralajmëron padi ndaj zyrtarëve të PDK-së

02 dhjetor 2017 19:13

Kryetari i zgjedhur i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të ushtrojë padi për shpifje ndaj zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavilecin, Kujtim Gashin dhe Betim Xhoshin.

Sipas Haskukës, këta bashkë partiakë të Shqir Totajt, kanë shpifur rreth një video ku gjoja se pakot e votimit janë manipuluar, raporton KTV.

Ai ka thënë se videoja është marrë dhe është prerë ashtu siç ka dashur dikush.

Sipas tij, shiritat e kutisë në fjalë kanë qenë në rregull dhe votat kanë qenë të njëjta sikurse që janë nënshkruar nga komisionarët.

Ai ka thënë se Mentor Shala, drejtor në RTK, duhet të kërkojë falje për atë se çfarë ka thënë, duke paralajmëruar padi edhe ndaj tij.

Mytaher Haskuka, morri mbi 260 vota me shumë sesa Shqir Totaj i PDK-së në Prizren.

Ndërkohë, partia e Mytaher Haskukës, Lëvizja Vetëvendosje, është duke përgatitur një kallëzim penal për gjyqtarin Beqir Kalludra.

Kjo, për shkak të persekutimit që, sipas kësaj lëvizjeje, Kalludra po ua bën deputetëve dhe aktivistëve të VV-së.

Në një komunikatë për shtyp, Vetëvendosje thotë se në seancën gjyqësore ndaj deputetëve Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për rastin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, gjyqtari Kalludra ka anuar duke u dhënë këshilla dëshmitarëve të këtij rasti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme