Krejt çka ndodhi në seancën maratonike ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes për gazin në Kuvend

01 dhjetor 2017 19:30

Para orës 9, ka mbërritur në gjykatë nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Por, rendi për të dhënë dëshminë e tij i erdhi vetëm rreth orës 14, në rastin ku të akuzuar janë deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj Bujupi e Faton Topalli.

Në orën e parë të gjykimit, pati edhe një kërkesë të përsëritur nga mbrojtësi i Albulena Haxhiut, Ahmet Ahmeti, për përjashtmin e trupit gjykues, por që u tërhoq pas konsultimeve.

Pas kësaj, prokurori Valdet Gashi lexoi pikat e akuzës që i ngarkojnë të akuzuarit, e më pas edhe fjalën hyrëse.

Deputetët janë deklaruar të pafajshëm në akuzat e prokurorisë dhe avokatët, që të gjithë të caktuar në bazë të detyrës zyrtare, e kanë konsideruar si të pabazuar në prova materiale aktakuzën.

Dëshmitarja e parë, ka qenë deputetja e PDK-së, Flora Brovina, gjithashtu në cilësinë e së dëmtuarës nga gazi lotsjellës, në seancat e kuvendit të Kosovës ndërmjet muajve tetor e nëntor të vitit 2015.

Ajo, në dëshminë e saj, deklaroi të mos ketë parë kush kishte hedhur gaz në seancën e 8 tetorit të vitit 2015, pavarësisht se e kishte identifikuar Kurtin, në dëshminë e saj para hetuesve në atë kohë.

Pyetjet, shumicën e të cilave i ka konstatuar, por duke mos lejuar përgjigje kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, janë bërë kryesisht nga të akuzuarit.

E pyetje e parë që i është bërë deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka pasur të bëjë me karrierën e saj në aktrim, që gjithashtu nuk është lejuar nga gjyqtari Kalldura.

Gjithashtu edhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, tha të mos ketë identifikuar ndonjërin prej deputetëve të akuzuar.

E gjatë pyetjeve për ish-deputetin e LDK-së, Nuredin Ibishi, gjyqtari Kalludra ka përjashtuar Donika Kadaj Bujupin.

Kadaj Bujupi nuk qe e vetmja që u përjashtua, pasi pak më vonë, gjyqtari Kalludra përjashtoi edhe gazetarin Beadin Syla, për arsyen se kishte lëvizur nga ulësja e tij.

Mbrojtësit e Albin Kurtit e Donika Kadaj Bujupit, Afrim Salihu e Hedije Ademi, në fund kanë kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me një masë tjetër, kërkesë që u refuzua nga trupi gjykues.

Për seancën e ardhshme, të caktuar për 7 dhjetor, në cilësinë e dëshmitarëve, janë ftuar deputetët Armend Zemaj, Bekim Haxhiu, Naser Osmani e kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme