Video

Cila po konsiderohet marrëveshja më e rëndësishme mes Kosovës e Shqipërisë

Në qytetin e Korçës është mbajtur mbledhja e parë për këtë vit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila do të vazhdojë edhe të martën në Vlorë.

Në mbledhjen e përbashkët, u diskutua për shumë çështje, ndërsa theks të veçantë iu dha heqjes së barrierave ekonomike mes dy vendeve.

Aty u nënshkruan 12 marrëveshje që kanë të bëjnë me shumë fusha, si në mjedis, zhvillim ekonomik, dogana dhe në fushën e kulturës.

Nikoqiri i këtij takimi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, marrëveshjen për diasporën e ka vlerësuar si më të rëndësishmen pasi, sipas tij, Tirana dhe Prishtina do të veprojnë me nisma të përbashkëta.

Rama ka folur edhe për linjën e interkonjeksionit 400 kilovoltësh, i cili sipas tij, është aks strategjik për të ofruar shumë më tepër zhvillim të dy shteteve dhe për të konsoliduar një proces tërësor rajonal.

Shqipëria është duke u angazhuar për të degëzuar gazsjellësin transadriatik edhe për Kosovë ka thënë Rama.

Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i bëri thirrje shtetit shqiptar që ta ndihmojë Kosovën edhe në shtimin e njohjeve të reja.

Ndërsa, sa i përket dialogut me Serbinë, Haradinaj tha se epilogu i këtij procesi duhet të sjellë njohjen e Kosovës, por për këtë ai tha se duhet edhe ndërhyrja e SHBA-së.

Haradinaj ka përmendur edhe korrupsionin si një sfidë të keqe, e cila po e pengon vendin tonë në shumë aspekte.

Dy kryeministrat kanë bërë të ditur se takimi i radhës ndërmjet dy qeverive do të mbahet në qytetin e Pejës.