Video

Vendimet e Supremes për mos-rinumërim të votave në Prishtinë e Prizren

Nuk do të ketë rinumërim të votave për Prishtinë e Prizren. Gjykata Supreme, ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i ka marrë si të bazuara, raporton KTV.

“Kolegji i Gjykatës Supreme ka marrë vendim që të pranohet si e bazuar ankesa e subjektit politik Vetëvendosje dhe të ndryshohet vendimi i PZAP-së, ashtu që të refuzohet ankesa e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me seli në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar që të rinumërohen-rivlerësohen fletëvotimet e pavlefshme, fletëvotimet e përdorura nga votuesit, por të paplotësuara (të zbrazëta), të cilat kanë qenë në kutinë e votimit dhe të rinumërohen të gjitha fletëvotimet e rregullta në vendvotime në Prishtinë”, shkruan në vendimin e Supremes.

Gjithashtu, kjo Gjykatë ka ndryshuar vendimin e PZAP-së, lidhur me ankesën e PDK-së për Prizrenin duke e refuzuar atë si të pabazuar.

Ky vendim ka gëzuar dy kandidatët e kësaj partie, Shpend Ahmetin e Mytaher Haskukën.

Vendimet, në një konferencë për media, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i ka quajtur një fitore të madhe për qytetarët.

Në anën tjetër, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, i ka thënë televizionit se numërimi i votave, do të nisë të dielën, por me rinumërim të pjesshëm të 35 vendvotimeve Dragashit e 3 të tjerave në Rahovec.

Vendimi i PZAP-së u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje si i pabazë, duke insistuar në vazhdimin e numërimit të votave të mbetura.