Video

KTV sjell të përmbledhur krejt çka ndodhi para Kuvendit ku u arrestuan deputetët e VV-së

Policia e Kosovës ka arrestuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadajn e Albulena Haxhiu në hyrje të Kuvendit derisa ishin duke shkuar në seancë.

Për ta kishte urdhërarrest nga Gjykata, për shkak të mungesës së tyre në seancën e fundit për gazin lotsjellës, raporton KTV.

Deputetët e kolegë të tyre dolën në hyrje të Kuvendit për të penguar arrestimin e tyre.

Gjatë përpjekjes së policisë për të arrestuar Kurtin, pati përleshje ndërmjet policisë dhe deputetëve e aktivistëve të VV-së. Për rreth 15 minuta Policia nuk arriti ta arrestonte Kurtin, derisa atë e mbanin deputetët Driton Çaushi, Liburn Aliu e Rexhep Selimi.

Pas kësaj dhe rezistence, Policia arriti kështu ta fusë në automjet Kurtin. Në përpjekje të deputetëve për të ndaluar automjetin, policia në largim e sipër e ka goditur deputetin Sami Kurteshi duke e përplasur atë në tokë.

Ndërkaq për shkak të pengimit të largimit të automjetit të njësisë speciale policia u detyrua të përdorë sprej lotsjellës.

Pas arrestimit, kryetari i Vetëvendosjes ka thënë se veprimi i policisë tregon përndjekjen politike që po i bëhet kësaj partie.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj do të shkojnë 1 muaj në paraburgim, sepse kjo masë u ishte caktuar bashkë me urdhërarrestin e lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Pesë policë janë lënduar në përleshjen gjatë arrestimit të deputetëve të Kuvendit, ka njoftuar Policia e Kosovës. Aty është thënë se ata kanë zbatuar urdhrin e Gjykatës.

Policia ndërkaq ka nisur një hetim për deputetin tjetër Driton Çaushi.

“Njëri nga zyrtarët policorë është sulmuar me grusht nga i dyshuari Driton Çaushi dhe ndaj të njëjtit është iniciuar rast për “Sulm ndaj personit zyrtar dhe pengim në kryerje të detyrës zyrtare”, është thënë në njoftimin e Policisë.

Këtë e ka mohuar deputeti Çaushi.

“Në vend se të ndërmarrin masa ndaj pjesëtarëve të tyre, sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi për tejkalimin e kompetencave të tyre, lidhur me përdorimin e dhunës së tyre të shfrenuar ndaj deputetëve të Republikës, përfshirë edhe ndaj meje personalisht, madje edhe me kafshim; drejtuesit e Shërbimit Policor të Kosovës ridëshmojnë se e keqpërdorin policinë, duke e vënë në shërbim të Klanit Pronto dhe patericave të tyre”, ka shkruar në Facebook deputeti i VV-së.