Video

Krejt çka ndodhi sot në Gjykatë rreth Limajt dhe të tjerëve

Janë liruar nga të gjitha pikat e akuzës, përfshirë krimin e organizuar dhe shpërdorimin e detyrës zyrtare, Fatmir Limaj dhe të tjerët të akuzuar në rastin MTPT.

Pos Limajt nga akuzuat janë liruar edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Gjyqtarja Tuma e ka pasur të pamundur të kontrollojë masën që në disa raste ka shpërthyer në duartrokitje, derisa lexonte vendimet për lirimin nga akuza të të gjithë të akuzuarve, raporton KTV.

Deklaratat e biznesmenit të ndjerë, Mehmet Shkodra, bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion, që edhe kishin iniciuar këtë rast, nuk kishin mundur të përdoreshin si dëshmi të drejtpërdrejta në këtë rast.

Avokati i Limajt, Kaarim Kham, e ka quajtur një fitore për drejtësinë këtë vendim.

Gjykimi maratonik ndaj Limajt dhe të tjerëve kishte të bënte dhënien e tenderëve për shtrim asfalti e mirëmbajtje të rrugëve në rajonin e Gjilanit, derisa në të kanë qenë të përfshirë edhe një sërë figurash politike nga ish-partia e Limajt, PDK, në cilësinë e dëshmitarëve.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, e ka quajtur procesin e tij gjyqësor si persekutim të pashembullt për 7 vjet e 10 muaj. Limaj në një konferencë për media nga selia e partisë së tij, ka thënë se askush nuk mund të gjejë asnjë cent të keqpërdorur nga ai, familja e tij apo bashkëpunëtorët e tij.

Ish-ministri i Transportit tha se individë të caktuar nga një ministër i suksesshëm e i vlerësuar e shndërruan atë brenda natës në njeri të urryer në vend, që gjoja po ua merrte të ardhmen qytetarëve të vendit.

Limaj ka thënë se edhe sot ka njerëz që vuajnë nga pozita të njëjta siç ka vuajtur ky dhe familja e tij, e për një gjë të tillë ka ftuar sistemin e drejtësisë të luftojë për t’u ç’kapur nga individët e ligë.