Video

S’lëkundet Smaka: Lumezi kishte deklaruar se s’e ka të dhënë provimin e jurisprudencës

Prokurori Kujtim Munishi mbylli hetimet parapenale për rastin e manipulimit të dosjes së Aleksandër Lumezit me pretendimin se nuk ka fakte dhe se dëshmitarët e gjallë i kanë ndërruar deklaratat e tyre në Polici.

Por, Riza Smaka qëndron prapa deklaratës së tij se kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, vetë kishte deklaruar se nuk e kishte të dhënë provimin e judikaturës në 2000.

Deklarimin e tij e mbështet edhe në procesverbalin e Adil Fetahut, të cilin prokuroria nuk e ka marrë parasysh.

Adil Fetahu, përmes telefonit, ka thënë se nuk ka ndërruar asnjë fjalë të deklaratës së tij në polici. “Gjithçka që kam thënë bazohet në procesverbalin e përgatitur në vitin 2000. Qëndroj prapa çdo shkronje që e kam shkruar dhe deklaruar”, ka thënë Fetahu.


Procesverbalet e Adil Fetahut janë mbështetur edhe nga 4 anëtarë të tjerë të komisionit, të cilët kanë deklaruar se në sistemin prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës kishin hyrë shumë njerëz pa provim judikature.

Sipas aktvendimit dhe dëshmisë së dëshmitarit Radislav Dimitrijeviq, thuhet se ai ka marrë përsipër faktin, duke thënë se është dashur t’i vërë vijë ku shkruan e drejta penale dhe në vend të saj ta shkruajë e drejta ekonomike.

Por dosja e provimit e thotë të kundërtën dhe aty ku është përdorur llaku, është fshirë e drejta ekonomike, që mbi të të shënohet e drejta civile.

Sipas aktvendimit, thuhet se dëshmitari Sahit Shala ka treguar se llaku-korrektor është përdorur kur është bërë ndonjë gabim teknik, mirëpo, sipas policisë, në procesverbal të provimit të judikaturës nuk është përdorur.

Por Shala ka thënë të kundërtën në një intervistë për Kohavisionin dhe ‘Betimin për drejtësi’.

I kontaktuar nga ekipi i Kohavisionit dhe ‘Betimi për Drejtësi’, Sahit Shala nuk ka dashur të flasë më për këtë temë. "Jam plak 70-vjeçar, ju lutem mos më kontaktoni më për këtë temë", ka thënë ai.

Për dosjen e manipuluar të Lumezit, ekipi i Kohavisionit dhe “Betimi për Drejtësi” kanë pyetur edhe Timothy Baland, Kryetar i Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili kishte zhvilluar procesin e riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë në vitin 2009.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, Baland ka thënë se secila diplomë e provimit të jurisprudencës ishte verifikuar në departamentet relevante në Ministrinë e Drejtësisë nga Njësiti për Vlerësimin Profesional të këtij komisioni.

Tutje, ai thekson se bazuar në punën e këtij njësiti, e ka të vështirë të besojë se dikush ka pasur mundësi të falsifikojë ekzistimin ose validitetin e diplomës së provimit të jurisprudencës, që ishte dorëzuar nga kandidatët në lidhje me aplikimin në pozitën e tij apo saj.

Pikërisht kjo dëshmi e kryetarit Baland dëshmon se verifikimi i certifikatave të kandidatëve është bazuar vetëm në librat amzë të Ministrisë së Drejtësisë.

Në këto të fundit, Aleksandër Lumezi figuron se e ka dhënë provimin më 25 prill 1991 në kohën e masave të dhunshme.

Por dyshimet e ngritura në bazë të gjetjeve të hulumtimit bazohen në librin amzë të vitit 1991, i cili ishte mbyllur në mënyrë të kundërligjshme tek në vitin 2000.

Të dhënat e Lumezit në këtë libër përputhen vetëm me të dhënat e plotësuara mbi dosjen e Zymer Krasniqit dhe askund tjetër.

Derisa deklaratat e Zymer Krasniqit përputhen ne tërësi me gjetjet e hulumtimit mbi dosjen e tij personale dhe dosjet ne Arkivin e Kosovës.

Prokurori Munishi në aktvendim shkruan se ka kërkuar qasje në dosjet e UNMIK-ut dhe OSBE-së, por nuk i ka pritur përgjigjet dhe ka mbyllur hetimin parapenal.