“Kush po na udhëheqë”, asnjëra nga partitë e mëdha s’ ka shlyer borxhin për shkeljet në fushatë

10 nëntor 2017 19:50

Vetëm katër parti politike kanë paguar gjobën e shqiptuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për mosrespektimin e Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

Lista Serbe, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës kanë qenë të vetmet që kanë kryer këtë detyrë. E gjatë ditës së sotme të njëjtën e ka bërë edhe Aleanca për Kosova e Re, raporton KTV.

Ndërsa tri partitë më të mëdha në vend nuk kanë shlyer borxhin Brenda këtij afati.

LDK si partia me më së shumti shkelje nuk ka paguar asnjë pjesë të shumës prej 70 mijë eurosh. Borxhi nuk e ka paguar as Lëvizja Vetëvendosje që ishte dënuar me 23 mijë euro.

Ndërsa PDK-ja ka paguar vetëm 1,350.00 euro, mirëpo mbetet në borxh edhe për 24,800.00 euro.

Asnjë nga këto subjekte politike nuk ka qenë e gatshme të flasë për arsyet e moskryerjes së kësaj detyre.

E nëse këto gjoba nuk shlyhen, PZAP-ja vendos gjoba shtesë, të cilat paguhen përmes instancave të tjera.

Njohësit e fushës thonë se për të pasur një menaxhim më të mire duhet krijuar një grup monitorues të pavarur që menaxhon të hyrat e partive.

Sipas ligjit për financimin e subjekteve politike, për t’i hyrë garës për zgjedhjet e ardhshme duhen paguar këto borxhe ose shuma totale nga shkeljet në fushatë së bashku me gjobat, partitë i paguajnë nga buxheti që ndahet për to.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme