Prokuroria nuk ka prova që lidh drejtpërdrejt aktivistët e VV-së me sulmin në Kuvend

26 tetor 2017 16:48

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, ka deklaruar se nuk ka prova që i lidh drejtpërdrejtë aktivistët e VV-së, të akuzuar për sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, prokurori Islami ka propozuar një mori provash, mes tyre edhe ato shfajësuese për të akuzuarit, por që është shprehur se e ka për detyrë ta bëjë një gjë të tillë.

Ky veprim është mirëpritur nga avokatët e të akuzuarve.

Në fjalën e tyre, ata kanë thënë se i vetmi fakt që është vërtetuar deri tani është se ka ndodhur sulmi në Kuvendin e Kosovës. Por, sipas tyre, asnjë provë e prokurorisë nuk i lidh të akuzuarit me sulmin, derisa pas kësaj, kanë hequr dorë edhe nga dëshmitarët.

Seanca ka vazhduar me deklarimin e të akuzuarve, e të katërtit kanë bërë të ditur se do të mbrohen në heshtje, duke e konsideruar rastin ndaj tyre politik.

Fjalët përfundimtare në rastin kundër Adea Batushës, Frashër Krasniqit, Egzon Halitit e Atdhe Arifit do të jepen më 13 nëntor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme