Kronikë e KTV-së nga punimet e seancës së Kuvendit për rishikimin e buxhetit

25 tetor 2017 19:04

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë mbajtur pezull me orë të tëra votimin e rishikimit të buxhetit të stërzgjatur të këtij viti, raporton KTV.

Gjithë kjo kohë u shfrytëzua për fushatë nga të gjitha partitë dhe për akuza mes pushtetit e opozitës.

Gjithçka nisi pas prezantimit të përmbajtjes së buxhetit të rishikuar, ku një numër projektesh të parapara janë tërhequr nga versioni i ri. Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se ulja e buxhetit nga 2 në 1.8 miliardë është bërë pasi mungojnë mjetet.

Hamza ka thënë se duhet të paguhen obligimet ndaj punëve të kryera në autostradën "Arbën Xhaferi", veteranëve dhe pagesat nga vendimet gjyqësore. Hamza ka thënë se edhe pse është larguar autostrada për Gjilan për këtë vit, ajo do të ndërtohet vitin që vjen dhe e gjitha me financim nga buxheti dhe jo nga fondet tjera. Vetëvendosje ka konstatuar se lëvizjet e bëra në buxhet janë në kurriz të investimeve kapitale dhe me qëllime elektorale.

Kundër këtij buxheti ishte edhe LDK-ja, që kishte përgatitur buxhetin në 2 miliardë. Rishikimi vjen për diskutim në kuvend rreth dy muaj para përfundimit të vitit buxhetor dhe pak ditë para se legjislativi të merret me buxhetin e 2018-ës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme