Raport i KTV-së për dekretimin e sotëm të gjyqtarëve e prokurorëve serbë në Gjyqësorin e Kosovës

24 tetor 2017 19:07

40 gjyqtarë e 13 prokurorë të komuniteteve jo shumicë janë betuar në një nga sallat e Kuvendit të Kosovës para presidentit të Republikës, Hashim Thaçi, raporton KTV.

Ky dekret u bë larg medieve, derisa në komunikatë thuhet se presidenti u ka ofruar mbështetje atyre në punën e përditshme.

Numri një i shtetit u ka thënë gjyqtarëve e prokurorëve se kanë mbi supe përgjegjësi të madhe, por ka besim se do t’ia dalin mbanë.

“Mirëpres gatishmërinë tuaj për t'u integruar në gjyqësorin e Kosovës dhe për të punuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Po ashtu, mirëpres gatishmërinë tuaj se funksionin e gjyqtarit, respektivisht të prokurorit, do ta ushtroni me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke respektuar rregullat e etikës profesionale.”Më tutje, presidenti ka thënë se Kosova është ndërtuar mbi parimet kushtetuese, të gjithë përfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ.

Sipas tij, Kosova ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore.Ai ka thënë se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Kosovës.

“Kosova në vazhdimësi ka bërë dhe po bën reforma në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial”, ka thënë presidenti.

Miroslav Ivanoviq, që u betua si gjyqtar para presidentit, këtë ditë e quan si të zakonshme, derisa thotë se puna do të vazhdojë aty ku ka mbetur.

Pas dekretimit, gjyqtarët e prokurorët serbë janë larguar nga objekti i Kuvendit nën përcjelljen e policisë së Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme