Video

Qytetarët vendosën që gjysma e komunave të shkojnë në balotazh

Qytetarët e Kosovës dje votuan në zgjedhjet lokale dhe sipas të dhënave të KQZ-së, në këto zgjedhje kanë marrë pjesë 43.68 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Nga rezultatet e deritanishme, nga 38 komuna, gjysma e tyre pritet të shkojnë në balotazh.

Duke u bazuar në këto rezultate, Lista Serbe del të jetë fituesja më e madhe e rundit të parë të këtyre zgjedhjeve duke i fituar 9 nga 10 komunat me shumicë serbe pa pasur nevojë të hyjë në balotazh.

Kjo parti që ka mbështetje të madhe nga Beogradi ka arritur të fitoj në: Mitrovicën e Veriut, Graçanicë, Zubin Potok, Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zveçan, Ranillug, Partesh, ndërsa në balotazh do të shkoj në Kllokot.

Nga kampi shqiptar, me gjithë rezultatin negativ në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, LDK-ja ka arritur të rikthehet në partinë më të madhe në vend.

Kjo parti ka arritur të fitojë pa balotazh në 4 komuna.

Në Pejë, LDK-ja me Gazmend Muhaxherin arriti të kalojë 50%-shin e votave.

Njëjtë arriti të fitojë edhe në Lipjan me Imri Ahmetin, i cili mori 59.6% të votave.

Në Fushë-Kosovë, Burim Berisha do vazhdojë të mbajë fronin edhe për 4 vjetët e ardhshëm, njëjtë siç do ta mbajë Sokol Haliti në Viti, i cili fitoi 52.2% të votave.

Ndërsa, në 10 komuna të tjera kjo parti do të shkojë në balotazh.

Në Prishtinë, Ferizaj, Istog, Obiliq, Podujevë, Kamenicë, Dragash, Vushtrri dhe Suharekë.

Nga partia dikur e para, Partia Demokratike e Kosovës ka zbritur në vendin e dytë për nga votat e marra në këto zgjedhje.

Ka humbur komunën e Skenderajt, që dikur konsiderohej bastion i saj.

Bekim Jashari kandidat i pavarur e mori Skenderajn me shumicë dërrmuese të votave. I dalë nga një derë e madhe, i biri i heroit Hamzë Jashari, pa ndonjë fushatë të madhe elektorale ia doli të marrë 85.62 % të votave.

Kështu ai u bë kandidati shqiptar më i votuar për kryetar komune.

Përkundër një gare që në fillim u duk e fortë, PDK-ja e mbajti primatin e së parës në Drenas me kandidatin Ramiz Lladrovci me 59.34% të votave.

Në balotazh, PDK-ja do të shkojë në 7 komuna: Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Klinë, Malishevë, Shtime dhe Vushtrri.

Nga ana tjetër, partia e kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj ka arritur të fitojë pa asnjë problem në dy komuna.

Në Deçan, kandidati i saj Bashkim Ramosaj morri 63.91% të votave.

Pa ndonjë problem të madh e ka fituar edhe Junikun me Agron Kuçin që vazhdon mandatin e dytë në krye të kësaj komune.

AAK-ja do të vazhdojë luftën në balotazh në këto komuna: Obiliq, Suharekë, Gjakovë dhe Rahovec ku prin me vota, ndërsa në Istog e Klinë është renditur si partia e dytë.

Megjithëse në zgjedhjet parlamentare bëri befasi, Vetëvendosje nuk arriti ta bëjë të njëjtën edhe në zgjedhjet lokale.

Kjo parti nuk arriti të fitojë në asnjë komunë në rundin e parë të zgjedhjeve.

Ky subjekt politik nuk ka arritur që të fitojë as kryeqytetin, me të cilin ka qeverisur për 4 vjet dhe ku kandidati i saj që mori 43.49%, pritet të përballet me atë të LDK-së në balotazh.

Përpos kryeqytetit, Vetëvendosje do të garojë në balotazh edhe në Prizren, Podujevë, Kaçanik dhe Kamenicë.

As partia e Fatmir Limajt, Nisma nuk arriti të fitoj në ndonjë komunë pa balotazh, por që kishte rritje në përqindje të votave nëpër disa komuna.

Në Mamushë, partia turke KDTP e Mahir Jagxhilar do të vazhdojë të udhëheq edhe me një mandat.

Më 19 nëntor, 19 komuna do të dalin në zgjedhje sërish ndërsa fushatë elektorale do të ketë një javë.