Çfarë vendimi u mor nga Këshilli i Mandateve për ish-ministrin Tahiri

21 tetor 2017 19:35

E tensionuar ka vazhduar edhe mbledhja e sotme e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve ku është trajtuar kërkesa e prokurorisë për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri.

Besim Hajdarmataj, që drejton prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se kanë siguruar prova të reja që janë sjellë nga autoritetet italiane, të cilat implikojnë ish-ministrin Tahiri.

Por, një deklaratë të tillë e ka kundërshtuar avokati i Tahirit, Artan Hajdari, që ka kërkuar të rrëzohet kërkesa e prokurorisë për arrestimin e Tahirit.

Duke e konsideruar politik rastin ndaj tij, ish-ministri i punëve të brendshme të Shqipërisë, Saimir Tahiri, nuk është përmbajtur në disa momente.

Në një deklaratë për media, Tahiri ka përsëritur se nuk ka prova kundër tij, derisa ka kërkuar që për dëshmitar të vijnë drejtues e ish-drejtues të Partisë Demokratike.

Emri i Tahirit është përmendur në përgjimet e autoriteteve italiane ndaj dy vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj, që çoi në hetimin e tij nga Prokuroria shqiptare për dy vepra: “Trafik i narkotikëve” në bashkëkryerje dhe “Korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme