Video

Këshilli i Mandateve diskutoi për orë të tëra, por vendimin për imunitetin e Tahirit e la për nesër

Me orë të tëra, Prokuroria ka arsyetuar kërkesën për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, para Këshillit të Mandateve.

Por, vendimi megjithatë pritet të merret nesër, përcjell KTV.

Prokurori, Besim Hajdarmataj, kërkoi që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor, por kjo kërkesë nuk u pranua nga Këshilli dhe mbledhja vazhdoi me praninë e mediave.

Hajdarmataj argumentoi kërkesën e tij për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, i cili akuzohet se derisa ishte Ministër i brendshëm, u përfshi në trafikim të lëndëve narkotike, i kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Vetë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar se Prokuroria për Krimet e Rënda, ka kërkuar arrestimin, por jo edhe hetimin e tij.

Tahiri, i cili është deputet i PS-së, tha se Prokurori po bën atë që s’e ka bërë kurrë me asnjë politikan tjetër, por që sipas tij, kërkesa e Prokurorisë për arrestim si i përfshirë në trafik droge, nuk është një surprizë.

Kërkesa e Prokurorit për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri ka përplasur institucionin e organit të akuzës me Ministrinë e Brendshme.

Ministri, Fatmir Xhafaj, i ka dalë në mbrojtje ish-ministrit Saimir Tahiri, duke sulmuar ashpër Prokurorinë.

E menjëhershme ka qenë përgjigjja e kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili tha se “nëse ministri Xhafaj nuk i ka të qarta ndryshimet ligjore, është problem i tij”.
 

Nuk kanë mbetur anash as polemikat mes kreve të partive kryesore në Shqipëri, kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor ministrin Fatmir Xhafa për t’i bërë presion Prokurorisë.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama ka komentuar gjithë këto zhvillime brenda 72 orëve, duke thënë se e tëra është muhabet pazari. Provat deri në fund, ka qenë mesazhi i Ramës drejtuar Prokurorisë.