Video

KTV për reagimet vendore e të BE-së ndaj shpërfilljes së Serbisë Marrëveshjes së Drejtësisë

Pasi kanë pritur për një kohë, drejtuesit e institucioneve të drejtësisë janë dorëzuar. Brenda zyrave të presidencës, ata kishin pritur mbërritjen e 42 gjyqtarëve e 14 prokurorëve për t’u betuar para presidentit Hashim Thaçi, raporton KTV.

Rreth orës 10 të mëngjesit, gjyqtarë e prokurorë serbë do të duhej të ishin para presidencës së Kosovës, për të vazhduar më pas me ceremoninë e betimit të tyre para presidentit Hashim Thaçi.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe presidenti Thaçi menjëherë në një reagim të tij, ka fajësuar për këtë dështim shtetin e Serbisë, por edhe Brukselin zyrtar.

“Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës,” shkruhet ndër të tjera në reagimin e presidencës.

Por, edhe më kritikë janë treguar me Bashkimin Evropian.

“Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë për dekretim te presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së, si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi”.

Por, të parët që Thaçi i fajësoi për dështimin e 17 tetorit, qeverinë e Serbisë, sytë i kanë te një datë tjetër, 20 tetorin.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian vetëm ka shprehur keqardhje lidhur me kërkesën për shtyrje të bërë nga Beogradi, derisa theksohet se Prishtina ka përmbushur obligimet e saj përkitazi me këtë marrëveshje.

Maja Kociançiq, e pyetur se çfarë mund të bëjnë tjetër përveç se të shprehin keqardhje, është përgjigjur se rruga e Kosovës dhe Serbisë varet nga rezultatet e dialogut.