Kur hyn në fuqi vendimi i SHBA-së për tërheqje nga UNESCO

12 tetor 2017 19:16

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se vendi zyrtarisht është duke u tërhequr nga agjencia e OKB-së për Arsim, Kulturë dhe Shkencë, për të cilën në vitin 1945 kishte ndihmuar që të themelohet.

Agjencia po ashtu njihet edhe për krijimin e trashëgimisë botërore, në çka janë përfshirë zona, tradita e kultura të shumta nga i gjithë globi.

Arsye për tërheqje DASH-i ka përmendur fushatën e kësaj agjencie kundër Izraelit por edhe nevojën për reforma. Vendimi i SHBA-së do të hyjë në fuqi më 31 dhjetor, njoftoi SHBA-ja.

Uashingtoni do të mbetet brenda organizatës, siç thuhet si shtet vëzhgues joanëtar, në mënyrë që të kontribuojë me qëndrimet, perspektivën dhe ekspertizën e vet.

Në anën tjetër, drejtoresha aktuale e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, ka thënë se ka pranuar njoftimin zyrtar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, duke shtuar se i vjen jashtëzakonisht keq për këtë vendim të amerikanëve.

Sipas saj, vendimi i Uashingtonit është humbje për multikulturalizmin dhe familjen e OKB-së.

Meqë Izraeli është përmendur si njëra prej arsyeve, presidenti amerikan kishte kërcënuar më herët me tërheqjen e mundshme shkaku i asaj që e kishte vlerësuar si fushatë kundër vendit. E SHBA-ja ndaloi financimin e UNESCO-s, pasi kjo organizatë e pranoi Palestinën si anëtare qysh në vitin 2011, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra nga Izraeli.

Sidoqoftë, Departamenti i Shtetit e mbajti aktiv misionin e vet në zyrat qendrore të agjencisë në Paris.

Tërheqja e SHBA-së po ashtu është motivuar edhe nga dëshira për të kursyer para, ka raportuar revista Foreign Policy. Trumpi po ashtu kishte kritikuar atë që e konsideron si kontribut jo i barabartë i SHBA-së për institucionet e OKB-së. SHBA-ja financon 22 për qind të buxhetit të rregullt të OKB-së dhe 28 për qind të buxhetit të OKB-së për misione paqeruajtëse.

Tërheqja e SHBA-së vjen në kohën kur agjencia është në kërkim të gjetjes së drejtorit të ti të përgjithshëm, derisa kandidatët e Katarit dhe Francës kanë hyrë në rrethin e ngushtë. Pasardhësi i Bokovas do të dihet më 10 nëntor.

E para dy vjetësh, në nëntor 2015, Kosova nuk ishte pranuar të jetë shtet anëtar i kësaj agjencie, meqë nga 142 shtete anëtare, sa kishin marrë pjesë në votim, 92 kishin votuar për dhe 50 ishin kundër, derisa kishte 29 abstenime. Për anëtarësim Kosovës i duheshin 95 vota për.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme