Video

Fillon gjykimi ndaj 20 policëve të dyshimtë për marrje ryshfeti

20 ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga Rajoni i Mitrovicës janë ulur në karrigen e të akuzuarve në Gjykatën Themelore të Mitrovicës dega në Vushtrri, raporton KTV.

Ata dyshohet se në muajt e fundit të vitit 2016, në bashkërendim mes vete, kanë kryer vepër penale “marrje ryshfeti” gjatë orarit të punës.

Në aktakuzën të cilën të gjitha palët ishin të pajtimit të mos lexohej para të pandehurve me arsyen se ishin në dijeni për çfarë po akuzoheshin, sipas prokurores ka fakte të bazuara me pamje lidhur me këto akuza.

Në aktakuzë thuhet se këta të dyshuar kanë marrë nga qytetarët mjete materiale në shumë prej 10 e deri në 200 euro.

Pas kësaj, të gjithë të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa kanë treguar se edhe u është ndërprerë marrëdhënia e punës në Policinë e Kosovës.

Në seancën fillestare, gjyqtari Avdi Mehmeti ka thënë se të dyshuarit për korrupsion, oficerët policorë po gjykohen në dy grupe dhe lëndët janë të ndara, për shkak të kushteve dhe numrit të madh të të akuzuarve.