Video

Lekaj premton përfundim të shpejtë të rrugës nëpër të cilën kalojnë 20 mijë makina në ditë

Ka disa vjet që zgjerimi i magjistrales Prishtinë-Mitrovicë ka mbetur i stopuar në fshatin Stanovc të Vushtrrisë.

Ministri i ri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka pranuar se të gjitha vonesat kanë ndodhur për shkak të moskoordinimit mes ministrisë, drejtuesve të fondeve investuese dhe problemeve me pronat, raporton KTV.

Por, ka thënë se shumë shpejt do të nisin punimet për zgjerimin e këtij segmenti dhe se më nuk do të ketë më asnjë vonesë.

Lekaj ka bërë të ditur se përpos shifrës e aprovuar më herët nga tri fondet investuese islamike, me kërkesë të kësaj ministrie fondet kanë rritur koston financiare të mbështetjes për këtë projekt.

Zgjerimi i kësaj magjistraleje ka filluar në vitin 2014, pas arritjes së një marrëveshjeje mes institucioneve të Kosovës dhe Fondit Saudit për Zhvillim, që më vonë u nda në tri fonde të ndryshme.

Sipas marrëveshjes së arritur, fondi ka pasur për detyrë t’i kryejë pjesën dërrmuese të procedurave, por deri tash, asgjë nuk është lëvizur.

Magjistralja M2 konsiderohet të jetë arteria kryesore e trafikut në Kosovë me një gjatësi totale prej rreth 26.7 kilometra me qarkullimin më të lartë në rrjetin rrugor të Kosovës.

Bazuar në numërimin e trafikut, rrugën e përshkojnë 20.000 automjete në ditë në disa pjesë të saj.