Video

Krejt çka ndodhi sot në seancën gjyqësore ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes

Tre dëshmitarë të prokurorisë kanë dhënë dëshminë e tyre në rastin e aktivistëve të Vetëvendosjes, që akuzohen për sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.

Jo më shumë se 10 minuta ka zgjatur dëshmia e dy dëshmitarëve të fundit, e mbi një orë ajo e dëshmitarit të parë, Egzon Mekollit, që në ditën kritike ishte në afërsi të objektit të Muzeut dhe kishte lajmëruar policinë pasi kishte dëgjuar shpërthimin, raporton KTV.

Ai, nga prokurori Abdurrahim Islami, por edhe nga avokatët, disa herë është ballafaquar me deklaratat e tij të dhëna në polici. Dy persona me motoçikletë, pas sulmit, kishin kaluar rrugës ku ishte Mekolli, por ai tha se ata nuk kishin ngjashmëri fizike me asnjërin prej të akuzuarve, pasi të dyshuarit, sipas tij, ishin më trupmëdhenj. Madje Mekolli ka treguar në gjykatë se kishte refuzuar të bashkëpunonte me policinë pas arrestimit të aktivistëve, pasi sipas tij, ishin personat e gabuar.

Dëshmia e Refki Jasharit dhe Korab Veselit, punëtorë në objekte përreth kuvendit, ka mbaruar shpejt dhe pas prokurorit Islami, mbrojta nuk u shtroi asnjë pyetje. Seanca është shtyrë pasi që mbrojtja nuk i kishte provat e fundit që prokuroria i kishte dërguar për ekspertizë në Byronë Federale të Hetimeve – FBI.

Këto prova, sipas Tomë Gashit, avokat i Frashër Krasniqit, vërtetojnë pafajësinë e aktivistëve. Vazhdimi i seancës është caktuar për në muajin tetor.