Video

Qeveria i jep dritë jeshile buxhetit, parashikohet problemi me pagat e veteranëve

Qeveria dhe opozita pritet të kenë përplasjen e parë javën që vjen kur është planifikuar të diskutohet rishikimi i buxhetit të këtij viti.

Nga mbi 2 miliardë sa ishte planifikuar të ishte, ekzekutivi në mbledhjen e së premtes i dha mbështetje propozimit të Ministrit të financave që buxheti të zbriste në 1.8 miliard euro, raporton KTV.

Hamza ka bërë të ditur se janë siguruar 5.6 milionë për pagesën e vendimeve gjyqësore, mbi 1 milion për RTK-në, ndërsa kërkesa për financim shtesë arrin në mbi 90 milionë euro. Mirëpo, mospajtime për përmbajtjen e buxhetit kishte Ministri i punës, i cili vlerësoi se problemet me veteranët nuk do të zgjidhen përfundimisht.

Një përballje të ashpër ka premtuar ish-ministri i Financave, tash shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti. Në një reagim në Facebook, Hoti ka thënë se nuk do të përkrahet zvogëlimi i buxhetit.

“Duhet mbajtur performancën e lartë të të hyrave ashtu si ka qenë. Duhet ndryshuar ligjin për AKP-në për të shfrytëzuar mjetet e privatizimit për autostradë...LDK-ja e udhëheq Komisionin për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës dhe nuk do të lejojmë që të përkeqësohet menaxhimi i buxhetit. Duhen gjetur mjetet për të paguar për skandalet e Qeverisë Thaçi me pasaporta dhe me Axos lidhur me PTK-në, si dhe kontratën e dëmshme të PTK-së me kompani private të shërbimeve telefonike”, ka thënë Hoti.

Bazuar në programin legjislativ, buxheti i rishikuar është planifikuar të shkojë në Kuvend të martën e javës që vjen, më 25 shtator.