“Kosova nuk ka nevojë për numër kaq të madh të burgjeve”

13 gusht 2017 15:00

Burgjet në Kosovë nuk dallojnë nga ato të rajonit. Madje investimet që janë bërë vitet e fundit e rendisin Kosovën të parën sa i përket gjendjes infrastrukturore të burgjeve.

Kështu thotë në një bisedë për Ekonomia Online Behxhet Shala, drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNj), organizatë kjo që monitoron burgjet e vendit.

Nga ana tjetër, Shala konsideron se menaxhimi i Shërbimit Korrektues është larg standardeve ndërkombëtare, për shkak të ndikimeve nga politika.

“Gjendja e burgjeve është më e mirë… Ne realisht bëjmë krahasime nga e kaluara, mirëpo bëjmë krahasime edhe me vendet e rajonit. Dhe nëse i bëjmë këto krahasime, atëherë mund të themi se gjendja e burgjeve të Kosovës nuk dallon asgjë nga gjendja e burgjeve të rajonit. Madje, në disa kushte jemi shumë më mirë sesa Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia”, thotë drejtori i KMDLNJ-së.

Por, Shala thekson se Kosova nuk ka nevojë për numër kaq të madh të burgjeve.

“Kosova me një farë mënyre, me shtimin e kapaciteteve të burgjeve, po shndërrohet si një vend i burgjeve, me kapacitete të pashfrytëzuara. Nuk ka asnjë logjikë të ndërtohet një burg në Hajvali që ka kapacitet për 600 të paraburgosur, ndërsa Kosova nuk i ka komplet 600 të paraburgosur. I kemi qendrat në Prizren, Pejë, Mitrovicë të Veriut, Lipjan, Dubravë. Nuk ka planifikim sa i duhen Kosovës qendra për mbajtje për paraburgim”, u shpreh Shala, në këtë intervistë.

Përkundër infrastrukturës deri diku moderne, Shala konstaton se menaxhimi i Shërbimit Korrektues është larg standardeve ndërkombëtare.

“Derisa Shërbimi Korrektues i Kosovës punon qe katër-pesë vite me buxhet të pandryshuar atëherë nuk mund të pritet ndonjë ndryshim cilësor në burgjet e Kosovës. Ato nuk mund të jeni më mirë për shkak të ndikimit politik. Politika është ajo e cila ndikon shumë në zgjedhjen e atyre që udhëheqin Shërbimin Korrektues”.

KMDLNj mendon se udhëheqësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës duhet ta ketë statusin e një gjykatësi, ta zëmë, në Gjykatën Kushtetuese ose të Avokatit të Popullit; e jo ta ketë mandatin e lidhur me pensionim.

Fajin për keqmenaxhim ai ua lë edhe ndërkombëtarëve. “Tash nuk mundem me ua lanë përgjegjësinë vetëm vendorëve, sepse një kohë të gjatë ndërkombëtarët i kanë drejtuar burgjet dhe deri vonë, por edhe tani kanë ndikim në vendimmarrje, si këshillëdhënës qysh paraqiten por janë shumë të involvuar në vendimmarrje”.

Shërbimi Korrektues i Kosovës administron 10 qendra korrektuese; prej tyre 6 janë qendra të paraburgimit, në të cilat janë të vendosur të paraburgosurit me urdhër të Gjykatës, dhe 3 qendra korrektuese.

Gjithashtu Kosova ka edhe burgun e sigurisë së lartë në Gërdovc në të cilin janë të sistemuar të burgosurit të cilët janë me dënime të gjata mbi 15 vjet si dhe të burgosurit nga shtete të tjera, të cilët mund të kthehen dhe të vuajnë dënimin në Kosovë me marrëveshje ndërministrore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme