Banorët e ishullit Guam jetojnë mes frikës së sulmeve raketore të Koresë së Veriut

12 gusht 2017 19:28

Ishulli Guam tash e sa ditë është në makth nga paralajmërimi se Koreja Veriore do ta sulmojë me raketa.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Penian, të enjten, njoftoi se ushtria e shtetit komunist gjatë gushtit do të kompletojë lansimin e katër raketave në ishullin Guam, raporton KTV.

Kësisoj, banorët e ishullit janë disi të shqetësuar, edhe pse autoritetet lëshuan së fundi një seri udhëzimesh të procedurës emergjente në rast të një sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut.

E, guvernatori i Guamit, Eddie Calvo, paralajmëroi për raketat e Veriut, duke thënë se kërcënimi nuk është edhe aq serioz.

Ndërkohë, banorët tjerë thonë se ndihen të zhgënjyer, derisa fajësojnë autoritetet lokale për joseriozitet.

Në zhvillimet tjera që ndërlidhen me kërcënimin e Koresë së Veriut, presidenti kinez, Xi Jinping, dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, biseduan në telefon rreth bashkëpunimit dypalësh dhe situatës në Gadishullin Korean.

Kina shpreson se palët do të përmbahen nga ndërmarrja e ndonjë veprimi që do të përkeqësojë tensionet në gadishull.

Në anën tjetër, edhe kancelarja gjermane, Merkel, ka komentuar për këtë situatë.

Sipas Merkelit, ndërhyrja ushtarake nuk është zgjidhje, derisa u ka bërë thirrje SHBA-së dhe Koresë së Veriut ta lënë anash luftën e fjalëve.

© KOHA

Të ngjashme