Video

Krejt çka ndodhi në dështimin e radhës së vazhdimit të Seancës konstitutive

Njëzet minuta para orës 10:00 ka hyrë në sallën plenare kryesuesi i seancës Adem Mikullovci megjithëse që nga e mërkura e ka ditur se nuk do të vazhdonte kjo seancë në mungesë të PAN-it. Aty erdhën deputetët e Vetëvendosjes e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, ndërkohë i vetmi nga PAN-i, ishte sërish deputeti Milaim Zeka, ndërsa asnjë nga minoritetet.

Por, ende pa nisur aty u kërkua 10 minuta pauzë, meqë në sallë fillimisht ishin vetëm 53 deputetë. E më vonë, pavarësisht që arritën të bëhen 61, mjaftueshëm për të vazhduar seanca, ajo u ndërpre për mungesën e atyre që e kanë ekskluzivitetin për të propozuar emrin e kryeparlamentarit.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje tha se është rast i paparë në historinë parlamentare që ata që vazhdimisht deklarohen si fitues të zgjedhjeve dhe që thonë se i kanë numrat në Kuvend nuk vijnë në sallë me emrin e kandidatit. Ndërkohë, Avdullah Hoti i LDK-së i ka bërë thirrje kryesuesit që të thërrasë edhe një takim konsultativ, për të caktuar datën e seancës e kjo të jetë si mundësia e fundit për PAN-in para se LAA-ja të konsultojë rrugë të tjera ligjore. Tentimi i pestë për zgjedhjen e kryeparlamentarit do të jetë të hënën e javës që vjen.