Video

Enver Zymberi nderohet në gjashtë vjetorin e rënies

Njësitë e Policisë së Kosovës kanë parakaluar para lapidarit të heroit Enver Zymberi në Prishtinë.

Këtë parakalim e kanë bërë në gjashtë vjetorin e rënies së kolegut të tyre në një operacion policor në fshatin Zupq të Zubin Potokut.

Te lapidari i heroit kurora me lule kanë vendosur drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Behar Selimi.

Për nder të rënies së tij sot bëhen homazhe edhe tek varri i tij në Dubovc të Vushtrrisë si dhe do ta vizitojnë familjen e tij në Vushtrri, transmeton KP.

Polici Enver Zymberi është vrarë më 26 korrik të vitit 2011 në një operacion policor për të kthyer nën kontrollin e shtetit të Kosovës pikat kufitare me Serbinë në veri të vendit.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga, Enver Zymberin e ka shpallur hero të Kosovës ndërsa një rrugë në Prishtinë mban emrin e tij.