Video

Kthehen nga Serbia në Kosovë eshtrat e viktimave të masakrës së Rezallës

Kanë arritur në Kosovë mbetjet mortore të disa viktimave të masakrës së Rezallës, që u zhvarrosën nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë. Sipas institucioneve, bëhet fjalë për shtatë identifikime të reja nga masakra e Rezallës dhe për dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë. Pranë pikës kufitare në Merdar, familjarë e të afërm nga Rezalla dhe organizata joqeveritare kanë pritur kthimin e mbetjeve mortore.

Mes lotëve e dhimbjeve Azize Rukolli ka pritur kthimin në Kosovë të eshtrave të babait të saj të vrarë 22 vjet më parë nga forcat serbe në masakrën e Rezallës.

Eshtrat e Jonuz Rukollit janë në mesin e mbetjeve mortore të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë.

Me gjithë dhimbjen, 71-vjeçarja Rukolli thotë se tani ndihet më e lehtësuar.

“Varri u kanë i zbraztë, shumë jemi kanë të mërzitun që nuk e kishim aty. Tash kur të shkojmë bile e dimë që eshtrat e tij pushojnë në atë vend...”

Sipas raporteve të identifikimit të mbetjeve mortore, bëhet fjalë për shtatë viktima nga masakra e Rezallës dhe për dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë.

E vështirë kjo situatë ishte edhe për familjarët e tjerë.

Për dy dekada varrin e zbrazët e ka vizituar edhe Gjylferie Deliu, babai i së cilës është ndër viktimat e kthyera në Kosovë.

“Kam dalë për të pritur babanë. Qe 23 vjet e kena prit e tash shyqyr u gjet. Po duhet me thane shyqyr se zor për familjarët, shumë...”

Kthimi i viktimave të identifikuara është bërë me ceremoni shtetërore në pikën kufitare me Serbinë, në Merdar, derisa homazhe pranë arkivoleve kanë bërë kryeministri Albin Kurti dhe drejtues të institucioneve të tjera.

“Kjo këtu sot është e vërteta që është përpjekur të mbulohet me varreza për dy dekada. Nuk mund të ndalemi derisa t’ua kthejmë familjarët dhe të sjellim drejtësi për ta. Të zhdukurit janë çështja e parë në dialogun me Serbinë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

“Bëj apel për bashkësinë ndërkombëtare që të bëjë presion mbi Serbinë. Ajo ende s’ka dhënë përgjegjësi për gjenocidin e saj. Këto pamje qe kemi para nesh duhet të na trokasin në ndërgjegjen tonë, veçanërisht liderëve tanë që të bashkohen për interesin e shtetit”, është shprehur kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Mbetjet mortore janë dërguar për ekzaminime të mëtutjeshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Më pas do të organizohet ceremonia e rivarrimit në Kompleksin Memorial në Rezallë të Skenderajt.

Në 5 prillin e vitit 1999 forcat serbe vranë 98 civilë shqiptarë në këtë fshat. Duke tentuar fshehjen e gjurmëve të krimit, forcat serbe u kthyen një ditë më pas për t’i transportuar shumë prej viktimave në varrezën masive pranë Rashkës, në jug të Serbisë.