Video

Në Rugovë, era e shton intensitetin e zjarrit

Zjarri në Shtupeq të Madh të Rugovës ende nuk është vënë nën kontroll. Madje për shkak të erërave të mëdha vetëm sa është shpërndarë.

Banorët e kësaj zone tregojnë se mëngjesin e së enjtes gjendja është rënduar.

“Gjendja faktike po shihet si është, zjarri ka kapluar gjitha anët, përmbi 300 hektarë janë djeg, megjithëse kanë intervenuar zjarrfikëset e Pejës, komunave të tjera, FSK, edhe banorët, edhe natën kemi mbajt kujdestari në mënyrë vullnetare por fryma shumë e madhe dhe është e pamundur... Gjendja sot ka nisë me u ashpërsuar shumë më shumë sot prej orëve të hershme prej 10-11 ora, ditëve të tjera pasdite ishte gjendja më e keqe”, ka thënë Isuf Nikqi, banor.

Nga zjarri që nuk është vënë nën kontroll tash e sa ditë janë djegur edhe stane.

“Dje kemi menduar që është lokalizuar dhe po shkon drejt shuarjes së zjarrit, sot në mëngjes ka filluar një erë shumë e madhe dhe zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Në pjesën tjetër ka edhe djegie të staneve. Ka një stan që është djegur në tërësi. Ne vetëm mëshirën e Zotit po mbajmë shpresë, jo se nuk kanë intervenuar zjarrfikësit dhe të tjerët por po shohim që është e pamundur”, ka deklaruar Remzi Nikqi, banor.

Shkaku i kësaj gjendjeje është parë e nevojshme evakuimi i disa familjeve.
 

“Gjendja është shumë e rëndë siç po e shihni edhe vet, zjarri është përballë vendbanimeve, përpjekje janë duke u bërë çmos që mos me lënë me u kall por erërat e mëdha po e bëjnë[...] Kemi qenë të evakuum, vetëm ne banorët që jemi këtu po bëjmë çmos me FSK-në, policinë, zjarrfikësat, duke bërë përpjekje mos me u dhez më shumë”, ka shtuar Muhamet Nikqi, banor.

Në Shtupeq të Madh janë duke intervenuar zjarrfikësit, Policia e Kosovës e pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga FSK-ja thonë që janë duke e përcjellë gjendjen dhe në rast nevoje të evakuojnë edhe banorë të tjerë.

“Ka familje të cilat janë evakuuar, në momentin e parë e shohim rrezik njerëzish ose dëmtim prone atëherë ne intervenojmë dhe e bëjmë evakuimin e gjithë civilëve që gjendjen në zonën ku janë duke u përhapur vatrat e zjarrit[...]Dita e sotme ka qenë në gjendje më të rëndë për shkak të erarëve, ditët e para kemi pas intervenime dhe kemi pasur më pak vatra të zjarrit, kemi pas komunikim edhe me KFOR-in të cilët na kanë ndihmuar, ekipet tona dhe pjesëtarët të cilët e kanë bërë shuarjen e vatrave të zjarrit kanë pasur komunikim duke i dërguar koordinatat dhe KFOR-i me anë të helikopterëve ka ndihmuar me u shuar zjarri”, ka thënë Drin Merturi – toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sipas drejtorit të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, zjarri ka filluar tash e 10 ditë, por që pas lokalizimit ka shpërthyer përsëri për shkak të erërave të forta.

“Tashmë është përhap zjarri edhe në lokalitete të tjera, ky zjarr është pothuajse që 10 dite u shfaqur ndërsa ne jemi mundur ta lokalizojmë por era e madhe e cila po mbizotëron ditët e fundit është kah e shpërndan me të madhe[...]Banorët nuk janë të rrezikuar, tri shtëpi të cilat janë më afër vatrave të zjarrit janë evakuuar ndërsa pjesë të tjera banorëve janë më larg zjarrit”, ka pohuar Fatmir Morina, drejtor i parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Zjarret në këtë zonë kanë rezultuar me qindra hektarë pyje të djegura.