Video

Më 22 gusht nis shqyrtimi kryesor ndaj të 4 aktivistëve të VV-së të akuzuar për terrorizëm

Në kohën kur po bëhet gati 1 vit që 4 aktivistët e Vetëvendosjes janë në arrest, është caktuar shqyrtimi kryesor ndaj tyre. Seanca pritet të mbahet më 22 gusht.

Kjo është bërë pasi Prokuroria ka refuzuar ankesat e tyre që rasti të mos shkojë në shqyrtim kryesor, por të hedhet poshtë aktakuza. Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi akuzohen nga Prokuroria për terrorizëm në rastin që ka të bëjë me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës në vitin 2016.

Ata kanë qenë në paraburgim për disa muaj dhe pastaj kjo masë u ishte ndërruar me arrest shtëpiak, masë të cilën e kanë ende në fuqi.

Të 4 aktivistët e akuzuar, ishin kandidatë për deputetë, derisa sipas një liste jozyrtare, Frashër Krasniqi ka arritur të fitojë mandat. Gjykata ua kishte refuzuar kërkesën që ata të lirohen nga arresti shtëpiak në kohën e fushatës.

Aktivisti tjetër, Astrit Dehari, ka vdekur në paraburgim, derisa ishte duke pritur të intervistohej nga Prokuroria si i dyshuar për këtë rast.

Hetimet për vdekjen e tij nga Prokuroria në Prizren, po vazhdojnë ende.