Video

Kurtit nuk i ngutet për dialogun me Serbinë

Më 18 maj kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq në kuadër të një darke të punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, nikoqir i së cilës do të jetë përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell. Por, ky takim, sipas Kurtit nuk ka të bëjë me nisjen e dialogut me Serbinë, e për të cilin thotë se nuk e ka me nxitim. Para nisjes së bisedimeve thotë se do të ketë dialog të brendshëm e skanim të këtij procesi të zhvilluar deri më tani.

Nisjen e bisedimeve me Serbinë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare nuk e ka me nxitim kryeministri Albin Kurti.

Qeveria që ai udhëheq, sipas Kurtit, nuk është e interesuar të ketë dialog me fqinjin serb pa një raport të procesit deri më tani e pazhvilluar një dialog të brendshëm paraprakisht.

“Ne jemi seriozë dëshirojmë të përgatitemi mirë, nuk ka nevojë që të nxitohemi e të bëjmë gabime të reja drejt dështimeve për të cilat nuk e kemi komoditetin”.

Në konferencën, ndër të paktat që ka mbajtur që nga marrja e detyrës, Kurti ka thënë se është i interesuar që sa më parë të takohet me krerët e partive opozitare.

“Nuk jam i interesuar që t’i takoj dy-tri ditë para të fillojë dialogu në qershor, por shumë më herët që ta zhvillojmë diskutimin. Unë besoj që edhe prej tyre mund të dëgjoj gjëra të bujshme të cilat na hyjnë në punë”, ka thënë ai.

Duke folur për takimin që do e ketë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 18 maj, kryeministri Kurti, ka thënë se ai nuk ka të bëjë me nisjen e dialogut.

“Takimi që zhvillohet në Bruksel nuk është dialog me Serbinë do të jemi 6 liderë të gjashtë shteteve të Ballkanit perëndimor ndërkaq në muajin maj nuk pritet as takim se lëre më kapitulli i ardhshëm i dialogut me Serbinë për të cilin për neve është vendimtare që të jetë parimor, e i barabartë”, është shprehur Kurti.

Kurti ka folur edhe për punën që janë duke e bërë në përgatitje të padisë për gjenocid ndaj Serbisë. Sipas tij, përgatitjet do të jenë gjigande, pasi nuk guxohet që të humbin rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Këto komente, i pari i Qeverisë, i bëri pas mbledhjes me kabinetin qeveritar e në të cilën miratuan programin qeverisës, 46 ditë pas marrjes së detyrës.

Në mbledhjen e ekzekutivit, ndër tjerash, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mos lejojë hyrjen e udhëtarëve nga vendet ku janë shfaqur variante të reja të COVID-19, si India, Brazili e Afrika e Jugut.