Kërkohet Fond i Pensioneve për kompensimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

19 qershor 2017 19:17

Në vjeshtën e këtij viti, pas 18 vjetësh nga përfundimi i luftës, pritet të nisë aplikimi për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale. Me këtë rast, po kërkohet që qeveria e ardhshme të ndajë sa më shpejt Fondin e Pensioneve për këtë kategori.

Ambasadori britanik, duke e vlerësuar si proces shumë të vonuar moskompensimin e këtyre viktimave tash e sa vite, tha se këto pensione duhet të jenë dinjitoze.

Sipas tij, shumat e vogla të ndara do të ishin diskriminuese për këtë kategori.

Në ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Dhunës ka paraqitur 3 rekomandimet të cilat duhet të përmbushen.

Aty u kërkua rishikimi i kornizës ligjore për politika kombëtare, për të siguruar që të dhunuarave të luftës t’u njihet statusi si viktima të dhunës seksuale, të ofrohen shërbime shëndetësore si dhe të ofrohet mbështetje për këtë kategori.

Kompensim sa më të shpejtë kërkoi edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha se kryerësit e krimeve duhet të dalin para drejtësisë.

Përfaqësues të qeverisë thonë se komisioni i themeluar muaj më parë nga qeveria ka buxhetin e mjaftueshëm që të bëhet edhe trajnimi i njerëzve të përfshirë në procesin e verifikimit.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës tha se është Serbia që duhet të ndajë mjetet e nevojshme për kompensim.

Pas themelimit të këtij komisioni janë paraqitur edhe katër module të formularëve të aplikimit pasi që, sipas Minire Begajt, përfaqësuese nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ky proces është tejet i ndjeshëm.

Mbi 20 mijë llogaritet të jetë numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme