Video

VV-ja kalon 50-përqindëshin, Hoxhiqi e Dordeviqi mbesin jashtë Kuvendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar këtë të shtunë rezultatin e 14 shkurtit. Pas përfundimit të procesit ankimor, fillimisht në PZAP e pastaj edhe në Gjykatën Supreme, përqindja e subjekteve politike ka pësuar një rritje të vogël. Pavarësisht se numri i deputetëve të tyre nuk ka ndryshuar, AAK-ja në vend të Meliza Haradinajt do ta ketë deputete Albana Bytyqin, kurse me largimin e Adrijana Hoxhiqit e Hatixhe Dordeviqit, ulëse në Kuvend kanë siguruar Duda Balje e Erxhan Galushi. Në mbledhjen e KQZ-së, kryetarja Valdete Daka ka pasur një kërkesë për deputetët e legjislaturës së re.

Një ditë pa u bërë një muaj nga dita e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i ka certifikuar rezultatet.

Për dallim nga ato përfundimtaret, pas procesit të ankesave në PZAP e Gjykatën Supreme ka ndryshuar përqindja që kanë marrë subjektet politike dhe ulëset e siguruara në Kuvend.

Nga 49.95 për qind sa kishte, Vetëvendosje ka kaluar më shumë se gjysmën e të gjitha votave, duke marrë kështu 50.28 për qind.

Një rritje të vogël kanë shënuar edhe PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, por që e njëjta nuk ka ndikuar edhe në numrin e deputetëve.

Por, me certifikimin e rezultateve, disa prej subjekteve politike kanë pësuar ndryshim në përbërjen e listës së deputetëve.

Kështu vendin e Meliza Haradinajt të AAK-së e ka zënë Albana Bytyqi.

Nga dy sa ishin gjithsej, Iniciativa Rome ka mbetur me vetëm një deputet. Nga lista e saj është larguar Hatixhe Dordeviqi.

Ulësen në Kuvend e ka humbur edhe Adrijana Hoxhiqi, derisa një të tillë e kanë siguruar Duda Balje e Erxhan Galushi.

Derisa ka renditur vështirësitë me të cilat janë përballur, në mbledhjen e KQZ-së, kryetarja Valdete Daka ua ka bërë një kërkesë deputetëve të cilët kanë siguruar ulëse në Kuvend.

“Nga këtu, dua t’i drejtohem deputetëve të legjislaturës së ardhshme, subjekteve politike, që reformën zgjedhore të mos e lënë në udhëkryq, por t’i japin rrugën e duhur. KQZ-ja është e gatshme për të dhënë kontributin e vet profesional në këtë reformë”, ka thënë Daka.

Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit përmbyllet i gjithë procesi zgjedhor në vend, duke lënë kështu të hapur rrugën për formimin e institucioneve.