Video

KQZ-ja pritet të mos e certifikojë Kurtin, bashkë me 46 kandidatë të tjerë

Albin Kurti, ndër pretendentët kryesorë për kryeministër nuk do të mund të garojë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Kurti, sipas burimeve të KOHËS, është në mesin e 47 kandidatëve për deputetë, të cilëve u pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje për shkak se janë shpallur fajtorë për vepër penale me vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vjetët e fundit.

Brenda Vetëvendosjes, përveç Kurtit, siç ka mësuar KOHA, pas verifikimit të Këshillit Gjyqësor, kandidimi nuk do t’u lejohet as Albulena Haxhiut, Liburn Aliut, Labinotë Demi – Murtezit dhe Bajram Mavriqit.

Anëtarja e kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë për KOHËN se akoma nuk janë njoftuar zyrtarisht nga KQZ-ja për këtë çështje, derisa është shprehur e bindur se Kurti do t’i prijë listës së partisë.

“Ne në qoftë se ka një tentim që qëllimshëm ta heqë nga lista Albin Kurtin apo edhe mua, padyshim që kjo do të sfidohet në mekanizmat e tjerë që është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas edhe në Gjykatën Supreme, nëse është e nevojshme. E drejta është në anën tonë. Ne nuk po kërkojmë asgjë që nuk na takon me ligj, nuk do të bënim asnjëherë diçka të tillë”, ka thënë Haxhiu.

Në shtator të vitit 2018, Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut Gjykata e Apelit ua konfirmoi dënimet me burgim me kusht për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Partitë akoma nuk kanë bërë publike emrat e kandidatëve që nuk do të mund të certifikohen, derisa asnjë prej tyre nuk ka qenë e qasshme gjatë ditës.

Lista me kandidatët e verifikuar nga KGJK-ja i shkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mërkurën.

KQZ-ja më pas njoftoi se 15 subjekte politike kanë kandidatë që nuk plotësojnë kushtet ligjore për t’i hyrë garës zgjedhore.

“Këto rekomandime do të paraqiten në mbledhje të KQZ-së. Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, rekomandimet do të bëhen gati gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar", ka deklaruar Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, mund të paraqesë ankesë në PZAP, derisa çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme.

Periudha e ankesave dhe e vendosjes për to është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar.

Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin për rastin e deputetit Etem Arifi ka konstatuar se personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet.