Video

Listat e kandidatëve për deputetë dorëzohen për verifikim në 6 institucione

Deri të mërkurën në ora 12, gjashtë institucione duhet t’i dorëzojnë Komisionit Qendror Zgjedhor, listat e verifikuara të kandidatëve për deputetë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, deri në afatin e përcaktuar duhet të verifikojë nëse ndonjëri nga 1 mijë e 79 kandidatët për deputetë është gjykatës, i është hequr e drejta për të qenë kandidat dhe nëse është i shpallur fajtor për vepër penale me vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.

Agjencia e Inteligjencës duhet të tregojë nëse ndonjëri nga kandidatët për deputetë është pjesëtar i saj, ashtu siç duhet të bëjë edhe Ministra e Punëve të Jashtme, e Punëve të Brendshme e FSK-ja.

Verifikimin e kandidatëve do ta bëjë edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Nga PZAP-ja thonë se afati i caktuar është i mjaftueshëm për verifikimin e kandidatëve.

“PZAP-ja për çdo proces zgjedhor krijon bazën e brendshme të të dhënave me emrat e personave të dënuar me vendimet e PZAP-së, të cilëve iu ndalohet e drejta për të qenë kandidatë ose pjesë e administratës së zgjedhjeve, të cilat i organizon KQZ-ja, si dhe për gjobat e shqiptuara ndaj subjekteve politike, ku në bazë të kësaj databaze e informojmë Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim të KQZ-së. Për PZAP-në, si institucion, është kohë e mjaftueshme për verifikimin dhe njoftimin e kësaj zyre me emrat dhe mbiemrat e individëve nga lista e kandidatëve”, ka thënë Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-së.

Procesin e verifikimit nga institucionet nuk e sheh problematike as zëdhënësi i KQZ-së, andaj edhe pret që të marrin përgjigje në afatin e caktuar.

“Besojmë që po për shkak se nuk është edhe numër shumë i madh i kandidatëve, janë 1 mijë e 79 kandidatë. Ndërkaq, po të ishte proces zgjedhor lokal mund të ishte më sfiduese për shkak se në zgjedhjet lokale shkon nga 7-8 mijë kandidatë”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Garës zgjedhore të 14 shkurtit, këtë vit i kanë hyrë 28 subjekte politike, 21 nga të cilat parti, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.