Video

Kurti e Osmani bëhen bashkë për zgjedhje, synojnë dy postet kryesore

Zyra e presidentes, Vjosa Osmanit i shërbeu këtë të enjte edhe për finalizimin e marrëveshjes me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Derisa nënshkrimin e bashkimit ndërmjet tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit e bënë në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Kurti e Osmani thanë se qëllimi i bashkimit të tyre është ndryshimi i qeverisjes që i është bërë Kosovës tash e 20 vjet.

Nga gara në një listë të përbashkët, Kurti u shpreh i bindur se do t’i marrë votat e mjaftueshme jo vetëm për t’u bërë kryeministër, por edhe për të zgjedhur presidentin e ri, e që sipas marrëveshjes do të jetë Vjosa Osmani.

“Ne nuk garojmë për vendin e parë, ne me 14 shkurt duam ta vulosim, konfirmojmë, vërtetojmë dokumentojmë se jemi shumicë dërmuese edhe në parlament sikurse që jemi në popullsi”,ka deklaruar Kurti.

Synime të njëjta, shprehu edhe Osmani.

“Do të kandidojmë me z. Kurti për kryeministër dhe për rilegjitimim të presidentes, pra do të jem unë personi që do ta kërkojë këtë rilegjitimim sepse presidenti i vendit përfaqëson unitetitn e popullit, dhe ky unitet më së mirë sigurohet në qoftë se kthehemi te ky populli” tha Osmani.

Nënshkrimin e marrëveshjes politike në ambientet e Kuvendit, u. d. së presidentes, Vjosa Osmani, e ka arsyetuar se ky institucion iu takon të gjithëve.

Me arsyetimin se janë detaje teknike, Osmani e Kurti nuk bënë të ditur se si i kanë ndarë kandidatët për deputetë e cila do të jetë renditja e tyre.

Dokumenti mbi të cilin hodhën nënshkrimet këtë të enjte Albin Kurti e Vjosa Osmani, e të cilin e ka siguruar KOHA, përmban gjithsej 10 zotime.

Ndër tjerash, Kurti e Osmani janë zotuar për respektim të Kushtetutës, rishikim të organizimit të shërbimit diplomatik, rishikim të sistemit të drejtësisë, e prioritizim të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë.

Listën e përbashkët për garën zgjedhore, subjektet politike kanë kohë që ta dorëzojnë në KQZ deri në shtunën, më 16 janar, në orën 18:00.