Video

AAK-ja e bindur në fitore, Bekim Jashari pritet t`i bashkohet Vjosa Osmanit

Ndonëse kanë filluar fushatën ende pa u shpallur zgjedhjet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka treguar se kush do të jetë bartës i listës së saj.

Nga kjo parti janë të bindur se do t`i fitojnë zgjedhjet, ndonëse në garë do të hyjnë të vetme.

“Ne e kemi përqindjen tradicionale që Aleanca e merr në zgjedhje, por këtë herë mendojmë që kemi shanse jashtëzakonisht të mira që të pozicionohemi shumë më mirë në këto zgjedhje, për shkak që kemi bërë punë edhe gjatë punës së kryeministrit Haradinaj, po edhe në këtë qeveri”, ka thënë Selim Selimi nga kjo parti.

Selimi thotë se pas zgjedhjeve nuk kanë vija të kuqe për asnjë nga partitë politike.

Takimet me qytetarët e bizneset ka kohë që i kanë nisur nga Partia Demokratike e Kosovës. Kandidati i saj, Enver Hoxhaj, për herë të parë synon të marrë postin e kreut të Qeverisë, ndonëse ka vite që është pjesë e saj, herë si zv.kryeministër e herë si ministër.

Një ditë më parë, kandidatin e tyre për kryeministër e ka zyrtarizuar edhe LDK-ja. Për Avdullah Hotin do të jetë hera e dytë që i hyn garës për kryeministër, ndonëse pa shkuar në zgjedhje këtë post e ushtron që nga qershori.

Për herë të parë si kundërshtare e LDK-së, në zgjedhjet e jashtëzakonshme, do të garojë Vjosa Osmani.

Bashkimin në iniciativën e saj nuk e përjashton as Bekim Jashari.

“Deri me sot nuk ka diçka të tillë, por që kam deklaruar edhe me herët që gjithçka do të jetë e hapur, në kohën e duhur”, është shprehur Jashari.

Vota e Etem Arifit në zgjedhjen e Qeverisë është konsideruar jolegjitime nga Gjykata Kushtetuese. Sipas saj, vendi duhet të shkojë në zgjedhje, derisa shpallja e tyre do të bëhet pas publikimit të plotë të aktgjykimit.