Video

Bie numri i testeve, rasteve të reja dhe i pacientëve me COVID-19 – ngelet i lartë ai i vdekjeve

Pas shumë javësh prej se klinikat e QKUK-së e spitalet rajonale kanë qenë të mbingarkuara me pacientë, ditët e fundit numri është përgjysmuar.

Sipas raportit të SHSKUK-së, këtë të premte 592 persona kanë marrë trajtim spitalor, prej të cilëve 396 tashmë të konfirmuar me COVID-19. Në fillim të muajit dhjetor mbi 1 mijë persona kanë marrë trajtim spitalor në klinika e në spitale rajonale, për çka edhe filluan problemet me oksigjen.

Rënie ka pasur edhe në numrin e të infektuarve, por edhe të testimeve që janë bërë. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga 1 mijë e 48 mostra të testuara, gjatë 24 orëve të fundit, 249 persona kanë rezultuar pozitivë. Muajt e fundit, në laboratorin e IKSHPK-së, e të privatëve numri i testeve ka arritur edhe deri në 2000 brenda ditës.

Por trendi i vdekjeve ka mbetur i njëjtë, me 8 persona të konfirmuar me Covid-19 që kanë humbur jetën në 24 orët e fundit. Totali i viktimave ka shkuar në 1 mijë e 298.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se kategorizimi i komunave do të vazhdojë të jetë ende në fuqi, por që ka rënë numri i komunave që janë në zonën e kuqe.

Nga e premtja në zonën e kuqe janë 8 komuna, në zonën e verdhë janë 11, dhe në zonën e gjelbër 19 komuna. Zemaj përmes Facebookut ka kërkuar që qytetarët të vazhdojnë t’i respektojnë masat anti-Covid.

Në Kosovë deri tani numri i përgjithshëm i rasteve pozitive ka shkuar në mbi 50 mijë e 135. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 538 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 38.656 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.181.

E ndonëse Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e izolimit për personat që hyjnë në Kosovë, nëse nuk paraqesin testin negativ PCR, kjo nuk i ka ndalur mërgimtarët të vijnë. Dhjetëra e mijëra persona kanë hyrë në Kosovë nga pikat kufitare e nga Aeroporti i Prishtinës, që nga premtja e kaluar.