Video

Në Kizhevak ndërpriten gërmimet për të pagjeturit shkaku i motit, pritet të nisin në Rahovec

Derisa në Kizhevak të Serbisë të premten janë ndërprerë gërmimet, në qytetin e Rahovecit ato pritet të nisin javën tjetër.

Gërmimet në Rahovec po mirëpriten nga familjarët e të pagjeturve, të cilët shpresojnë që shumë shpejt trupat e të afërmve të tyre do të gjenden.

“Ajo çka është më e rëndësishme për ne familjarët është që në të gjitha lokacionet, ashtu edhe si na është premtuar nga qeveritarët se aty ku mund të ketë një dyshim të bazuar në ndonjë fakt, ata do të vijnë edhe t’i bëjnë gërmimet me qëllim që familjarëve t’u jepet një adresë të paktën, apo një varr”, ka thënë Selami Hoti, përfaqësues i Krushës së Madhe.

Në një konferencë për media, Komisioni qeveritar për të pagjeturit dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë treguar për gjithë procesin gjatë muajve të fundit.

Ramë Manaj, kryetar i Komisionit, tha se për shkak të kushteve atmosferike gërmimet në Kizhevak në Serbi janë ndërprerë dhe se pritet të fillojnë sërish në pranverën e vitit të ardhshëm.

Derisa Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ka thënë se në Kizhevak janë përdorur tri lokacione për fshehje të krimit nga Serbia.

“Janë tri grupacione që i kanë përdorë për fshehjen e tyre, ujërat, minierat dhe vendet e ashtuquajtura vendet apo varreza civile, në të cilën është menduar se nuk do të gjenden pas luftës, meqenëse bëhet fjalë për një vend ku për vite të tëra janë hedhur gurë dhe mbeturina dhe logjikisht kanë sjellë telashe”, ka thënë ai.

Në Kizhevak të Rashkës në Serbi, javën e kaluar, kanë vazhduar gërmimet për zhvarrosjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë dhe deri tani janë gjetur 4 ose 5 trupa.

Gërmimet në Kizhevak, që gjendet në rajonin e Rashkës, kanë nisur në vitin 2015.

Por, mbetjet mortore janë identifikuar vetëm muajin e kaluar përmes imazheve fotografike nga ajri, të vitit 1999, të cilat i siguroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes Departamentit Amerikan të Shtetit.