Video

Masat anti-Covid shkaktuan huti te bizneset, kërkohet përkrahje financiare

Vendimi i qeverisë për t’i mbyllur shumicën e bizneseve gjatë fundjavës vazhdon të kritikohet nga sektori privat.

Oda Ekonomike e Kosovës thotë se nuk janë kundër masave, por sipas saj, ato duhet të shoqërohen me përkrahje financiare për bizneset që dëmtohen.

Kryetari i kësaj Ode, Berat Rukiqi, thotë masat kanë shkaktuar huti te bizneset për shkak të mos-definimit të saktë të tyre, raporton KOHA.

“Ka definicione në masa të cilat gjatë zbatimit po shkaktojnë konfuzitet dhe realisht për bizneset po janë barrë dhe obligim shtesë, për shkak se të njëjtat po ballafaqohen me gjoba. Në interpretimin që mund ta kenë bizneset për masat ato lejohen të punojnë, pastaj vjen Inspektorati apo Policia, të cilët nuk e kanë asnjë autoritet interpretues i cili i udhëzon”, ka thënë Rukiqi.

Moskonsultimi me sektorin privat rreth shtrëngimit të masave, sipas Rukiqit, i ka dëmtuar edhe më shumë bizneset.

“Paramendoje një biznes i cili ka rezerva të produkteve apo të furnizimeve që prishen, i cili komplet një stok duhet ta hedhë në mbeturina, për shkak se vjen një vendim i tillë i cili krijon jashtëzakonisht pasiguri dhe paqartësi”, ka shtuar ai.

E shqetësuar me vendimin e qeverisë është shprehur edhe Oda Ekonomike Amerikane, e cila ka kërkuar që të merren parasysh rekomandimet e sektorit privat.

Mbylljen e dytë të bizneseve brenda tetë muajve gastronomët e kanë kundërshtuar edhe të shtunën.

Para kafiterive të mbyllura, dikush përdori tenxheret e dikush taketuket për krijuar zhurmë si formë proteste ndaj masave të reja.

Protestë më të madhe, gastronomët kanë paralajmëruar për të hënën.

“Gastronomët nuk po mund t'ia dalin në këtë krizë. Masat janë ashpërsuar tepër, ndërsa shpenzimet po vazhdojnë, bankat po vazhdojnë t'i kërkojnë këstet (e kredive). Çdo problem tjetër që po na sjellin këto masa ku shteti nuk ishte asnjëherë në gjendje që të ulet dhe t'i ofrojë diçka gastronomisë ose bizneseve në këtë rast për t'iu marrë diçka”, ka thënë Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve.

Pas përfundimit të protestës, Kllokoqi është shoqëruar në polici. Ai ka thënë se protestën nuk e kanë lajmëruar në organet e rendit, pasi sipas tij, pjesëmarrësit kanë protestuar para bizneseve të tyre.