Video

Vazhdojnë shkarkimet, në krye të Bordit të ri të KEK-ut Hoti emëron njeriun e LDK-së

Kandidati i LDK-së për deputet në zgjedhjet e 2014-s dhe ish-kryetari i komunës së Klinës, Musa Misini, është emëruar kryesues i ri i Bordit të drejtorëve të KEK-ut.

Një vendim i tillë është marrë në mbledhjen elektronike të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur këtë të shtunë, raporton KOHA.

Pikë e vetme e rendit të ditës ka qenë shkarkimi i anëtarëve të bordit të mëparshëm dhe emërimi i atyre të rinj.

Përmes këtij vendimi, ekzekutivi ka shkarkuar kryesuesin Hysen Fazliun e drejtorin Egzon Berisha.

Derisa Fazliu është zëvendësuar nga Musa Misini, në pozitën e Berishës është emëruar Fadil Hoxha.

Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të KEK vazhdojnë të jenë dy anëtarët e emëruar më parë: Petrit Ibraj dhe Fatime Grajqevci.

I kontaktuar nga KOHA, Musa Misini, tashmë kryesuesi i ri i KEK-ut, thotë se emërimi i tij nuk ka lidhje me LDK-në.

Siç ka mësuar KOHA, për miratimin e këtij vendimi, anëtarët e Qeverisë kanë pasur kohë katër orë. Mbledhja elektronike është hapur në ora 13:00 e votimi për emërimin e anëtarëve të rinj është përmbyllur në orën 17.

Sipas emailit të siguruar nga KOHA për mbledhjen elektronike, anëtarët e kabinetit qeveritar kanë pasur dy mundësi lidhur me këtë vendim.

“Të gjithë anëtarët e Qeverisë duhet të japin pëlqim ose koment në mënyrë elektronike”, thuhet në email-in të cilin e ka parë KOHA.

Shkarkimi i dy anëtarëve të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të KEK-ut është bërë pak ditë pasi kryeministri Avdullah Hoti liroi nga detyra drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, atë të ATK-së, Ilir Murtezaj e të Doganës, Ibrahim Xhaka.