Video

Pritet valë e re e virusit, Zemaj thotë se s’ka lirim të masave

Në 533 ka mbërritur shifra e personave të vdekur nga Covid – 19. Të enjten u shënuan edhe 8 vdekje të reja, teksa u konfirmuan edhe 147 raste të tjera pozitive.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 197 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 9.792 raste, kurse numri i rasteve aktive është mbi 3 mijë raste, raporton KOHA.

Komuna e Prishtinës ka vazhduar kryesimin me raste të reja, ku brenda 24 orëve janë shënuar edhe 38 raste, nga Komuna e Podujevës 19 raste, e nga Komuna e Mitrovicës 14 raste.

E teksa shifrat e larta të të prekurve me Covid – 19 po vazhdojnë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë një vizite në Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë theksoi se aktualisht nuk parashihet lehtësim i masave.

Mentor Morina, drejtor në Departamentin e Politikave Sociale dhe familjare, ka bërë të ditur se në këtë institucion kanë disa raste pozitive, por që kryesisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Aktualisht kemi 13 klientë rezidentë pozitivë, janë duke u trajtuar në repartin e veçantë, i dedikuar vetëm për rezidentët të cilat janë pozitivë. Stafi është i përkushtuar, njëherësh dëshirojmë t’i falënderojmë MSH-në, IKSHPK-në për testimet e vazhdueshme, sa herë që Shtëpia e të Moshuarve ka bërë kërkesë në MSH...Edhe pjesa e stafit të cilët kanë rezultuar pozitivë janë ndihmuar me staf shtesë përmes Agjencisë për Punësim të Kosovës”, ka thënë Mentor Morina, drejtor i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare.

Ndërkohë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka paralajmëruar shfaqjen e valës së dytë të koronavirusit në tetor të këtij viti, teksa për këtë situatë, sipas tij, Kosova është e përgatitur.

“Si shtet jemi të përgatitur edhe për valën e dytë apo të tretë të COVID-19. Jemi të përgatitur në të gjitha aspektet menaxheriale, organizative, vendimmarrëse, politike, zbatuese, ekzekutive e legjislative që t’i dalim përballë valës së re eventuale, që pritet të jetë në të gjithë botën prej tetorit e tutje”, është shprehur Ramadani.

Kurse sa u përket problemeve me kategorizimin e mantelbardhëve për shtesat prej 300 eurove, nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës pas një takimi me ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka bëtë të ditur se janë dakorduar që lista e re e përmirësuar me emrat e infermierëve t’i dorëzohet Ministrisë së Shëndetësisë.