Video

Lajçaku dyshon se mund të ketë marrëveshje të mirë Kosovë-Serbi pa praninë e BE-së

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dyshime se mund të arrihet marrëveshje e mirë Kosovë-Serbi, pa praninë e BE-së.

Në adresimin para gazetarëve në përfundim të vizitës në Prishtinë, diplomati sllovak theksoi se Bashkimi Evropian nuk mund të lihet anash në këtë proces, ngase e ardhmja e Kosovës është evropiane.

Për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë të ndërmjetësuar nga Richard Grenell, Lajçaku ka thënë se nuk ka biseduar për këtë nismë me partnerët amerikanë.

“Kosova është në Evropë dhe askush tjetër nuk mund t'i japë një të ardhme evropiane Kosovës, përveç BE-së. Një marrëveshje e mirë është ajo që i sjell Kosovën dhe Serbinë më afër Bashkimit Evropian dhe nuk mendoj se një marrëveshje e tillë mund të arrihet pa praninë e BE-së. Askush tjetër pos BE-së nuk mund të ofrojë të ardhme evropiane, përveç nëse doni ta lini anash ju të ardhmen evropiane dhe nuk doni të bëheni pjesë e BE-së”, ka thënë Lajçak, raporton KOHA.

I pyetur për qëndrimet e liderëve të Kosovës se marrëveshja me Serbinë duhet të rezultojë me njohje reciproke, Lajçaku nuk ka komentuar epilogun e bisedimeve.

“Unë dua të lehtësoj një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të zbatueshme. Në këtë moment nuk jam këtu të spekuloj, mandati im është për normalizim të marrëdhënieve”, është shprehur ai.

Ndërmjetësuesi evropian pret rinisje të dialogut në Bruksel, duke thënë se datën e takimit do ta bëjë të ditur pas vizitës që do ta ketë javën e ardhshme në Beograd.

Për mosliberalizimin e vizave, Lajçaku ka thënë se BE-ja duhet t’ua mundësojë kosovarëve lëvizjen pa viza.

Gjatë qëndrimit treditor në Kosovë, emisari evropian është takuar me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti, kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe krerët e partive politike.