Video

Dita e parë e Hotit kryeministër – homazhe në “Velani” e Prekaz

Është nisur për në Qeveri, ku do të marrë detyrën e re, atë të kryeministrit të Kosovës. Por Avdullah Hotin, në oborrin e ekzekutivit nuk e priti askush nga kabineti i mëparshëm qeveritar.

I vetëm u nderua nga Garda Ceremoniale e FSK-së, për të vazhduar në zyrën e të parit të Qeverisë.

Si rrallëherë, detyra nuk iu dorëzua nga stafi politik, por zyrtarë civilë të Qeverisë. Pak minuta nga marrja e detyrës, Hoti mblodhi kabinetin e ri, raporton KOHA.

Në mbledhjen e parë si kryeministër, ai përmendi se si Qeveri, në fokus do të kenë përballjen me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Kreu i Qeverisë nuk la pa thumbuar paraardhësin e tij, ish-kryeministrin Albin Kurti.

Në ditën e parë si kryeministër, Hoti bëri homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Por, ndonëse falënderoi mediat për interesimin në aktivitetet e tij si shef i Qeverisë, Hoti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Nga “Velania” kreu i Qeverisë u nis për në Prekaz, ku me homazhe nderoi familjen Jashari. Të mërkurën, më 3 qershor, Avdullah Hoti me 61 vota për u zgjodh kryeministër i Kosovës, i dyti i zgjedhur në Kuvend brenda katër muajsh.