Video

Vuçiq vazhdon ta luajë lojën rreth vrasjes së vëllezërve Bytyçi

Avokati i vëllezërve të vrarë Bytyçi e ka ftuar njeriun e dytë të SHBA-së Mike Pence që nga Aleksandar Vuçiq të kërkojë distancimin nga kriminelët e luftës si dhe zgjidhjen e rastit të vrasjes së tyre, transmeton Koha.net.

Ftesën për vizitën në SHBA për takimin me nënkryetarin amerikan Vuçiqit ia ka dorëzuar gjatë kësaj jave zyrtari amerikan Hoyt Brian Yee në Beograd.

"Vuçiq ka premtuar se do ta zgjidhë rastin Bytyçi e në vend të kësaj ai e luan lojën. E ftojmë nënkryetarin Pence që të sigurojë që Amerika të jetë sërish e respektuar duke kërkuar nga Vuçiqi që t’i ndërpresë lidhjet me kriminelët e luftës dhe të zgjidhë vrasjen e vëllezërve Bytyçi”, përcjell b92 të ketë kumtuar këshilltari i familjes Bytyçi, Pravin Madhirage.

Duke theksuar se Vuçiq "ka dhënë disa premtime” për zyrtarët amerikanë se do t’i gjejë përgjegjësit për vrasjen e shqiptarëve me shtetësi amerikane, në kumtesë thuhet se kryeministri i Serbisë, në vend të saj, vazhdon ta mbrojë të dyshuarin në këtë rast Goran Radosavljeviq Guriin, zyrtarin e lartë të Partisë së tij Përparimtare Serbe.

Vëllai i tre të vrarëve Bytyçi, Fatos Bytyçi pret që Vuçiq të përmbushë premtimet që ia kishte dhënë.

"Aferim Aleksandar Vuçiq. Po iu ndihmon kriminelëve të luftës dhe ata po të ndihmojnë të bëhesh kryetar. Me ke premtuar mua dhe familjes se vërtetë do të ndërmarrësh diçka. Do të shikojmë", ka thënë ai.

Tre vëllezërit Bytyçi, Yll, Mehmet e Agron, luftuan kundër forcave serbe në vitin 1999. Ata, duke përcjellë për në Serbi familje që braktisnin Kosovën, u kapen nga Policia serbe dhe më vonë u ekzekutuan.