Video

Qeverisë i kërkohen 10 milionë euro për menaxhim të situatës nga koronavirusi

Rreth 10 milionë euro i janë kërkuar Qeverisë nga Komiteti për menaxhimin e situatës me koronavirus, përmes një plani të përpiluar për këtë çështje.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media pas takimit të këtij komiteti.

Ai ka treguar se, deri tash, në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me koronavirus derisa 5 persona e dyshuar për COVID – 19, gjatë së hënës kanë rezultuar të gjithë negativ.

Meqë deri tash nuk ka asnjë rast, Vitia ka thënë se do të vazhdojnë me përgatitje për raste eventuale dhe se hapat e tjerë do t’i marrin bazuar në zhvillimet në terren.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, ka thënë se janë marrë të gjitha masat në parandalimin dhe trajtimin eventual të rasteve me koronavirus.

Ai ka thënë se kanë porositur material të nevojshëm në vlerë prej 40 mijë euro dhe se pas ndarjes së buxhetit presin të blejnë material shtesë.

Kurse, Ministria e Arsimit, përmes një njoftimi, ka theksuar se deri tani ka zbatuar të gjitha rekomandimet e Ministrisë Shëndetësisë dhe është duke shqyrtuar mundësinë që në bashkëpunim me të dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të merren masa në përputhje me situatën.

MASHTI ka bërë të ditur se mundësia e mbylljes ose jo të shkollave do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Qeverisë.