Video

Në ceremoni private, u varros ikona Nexhmije Pagarusha

Me ceremoni shtetërore i është dhënë lamtumira e fundit këngëtares së njohur, Nexhmije Pagarusha.

Pas homazheve të familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve, për ikonën e muzikës shqipe është mbajtur një akademi përkujtimore, e cila filloi me një minutë heshtje.

Veprimtarinë e Pagarushës e vlerësuan lart krerët e institucioneve të vendit, raporton KTV.

Kryeministri Albin Kurti tha se arti i Pagarushës do të jetë i pavdekshëm.

Sipas kryetares së Kuvendit, Nexhmije Pagarusha ka krijuar identitetin e shoqërisë dhe lirisë shqiptare.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, Pagarushën e quajti simbol të gjithë shqiptarisë. Derisa fjalë të mëdha për këngëtaren tashmë të ndjerë, kishte edhe Rafet Rudi.

Me emocione të shumta, për Nexhmije Pagarushën, foli mbesa e saj.

Pas akademisë përkujtimore, nën tingujt e këngëve të Pagarushës, kortezhi i saj kaloi përmes shesheve të kryeqytetit, nga ku u përcoll me duartrokitje të shumta.

Bilbili i Kosovës është varrosur në vendlindje, Pagarushë të Malishevës, në një ceremoni shumë private, ashtu siç kishte kërkuar vetë.