Video

E pranojnë, Presidenti po mban peng arritjen e marrëveshjes VV-LDK

Përkundër deklarimeve se takimet mes kryetarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të intensifikohen, një i tillë nuk është mbajtur këtë të enjte.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nga takimi i mbajtur të mërkurën me LDK-në, nuk ka ndonjë rezultat.

Sipas Kurtit, me thirrjen e seancës për konstituimin e kuvendit më 24 dhjetor, Presidenti Hashim Thaçi u ka dhënë kohë më shumë sesa kanë nevojë për arritjen e koalicionit.

Përkundër optimizmit se marrëveshja me Vetëvendosjen do të arrihet, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të heqë dorë nga posti i presidentit.

Haxhi Avdyli i LDK-së thotë se nëse diskutimi për pozitën e presidentit bëhet pas formimit të qeverisë, koalicioni mes dy partive mund të hasë në probleme një vit më pas.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, janë takuar të mërkurën pasdite. Nga ky takim, i cili zgjati rreth një orë, e për të cilin nuk u deklaruan asnjëri nga liderët, është bërë e ditur se janë marrë vesh që të takohen më shpesh për arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse.

Në anën tjetër, seanca ku pritet të betohen deputetët e rinj dhe të zgjidhen udhëheqësit e Kuvendit, do të mbahet më 24 dhjetor në orën 09:00.