Viktimat e dhunës seksuale të luftës, me pensione të dinjitetshme

19 maj 2017 18:12

Pas procesit aq të përfolur të identifikimit dhe verifikimit të veteranëve dhe invalidëve të luftës, Qeveria e Kosovës do të ndajë pensione edhe për një kategori tjetër të luftës: viktimat e dhunës seksuale.

Kjo pasi që më 28 prill 2017, Qeveria kishte marrë vendim për themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, transmeton emisioni Cosmo në KTV.

Këtij komisioni, të përbërë prej 9-të anëtarësh, brenda tre muajsh do t'i bashkohet edhe sekretaria, si trup administrativ. Kështu, në vjeshtë do të filloj procesi i identifikimit dhe verifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Nënkryetarja e këtij komisioni, Jeta Krasniqi, ka shpjeguar në emisionin COSMO të KTV-së, se si do të bëhet ky proces dhe se cila do të jetë natyra e pensioneve që do të marrin personat e kësaj kategorie.

Ajo ka thënë, se ky proces është ideuar ashtu që të shmang një ritraumatizim të viktimave dhe të ruajë konfidencialitetin e tyre. Po ashtu, në këtë edicion do të emisionit COSMO, do të mund të njiheni edhe me projektin që ka prodhuar librin "Unë dua të dëgjohem", i cili është një përmbledhje e dhjetë historive të grave të dhunuara nga ushtarët dhe policët serbë gjatë luftës së viteve 1997 - 1999, të rrëfyera prej vetë atyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Të ngjashme