Video

Reshjet e mëdha të shiut përmbysin Venecian

Pjesë të qytetit italian të Venecias kanë mbetur nën ujë, pas reshjeve më të rënda në më shumë se 50 vjet.

Ujërat arritën kulmin prej 1 metër e 87 centimetrave, sipas matjeve nga autoritetet.

Vetëm një herë qëkur filluan regjistrimet në vitin 1923, niveli ishte më i lartë, duke arritur në 1 metër e 94 centimetra edhe atë më 1966, transmeton KTV raportin e Reutersit.

Pamjet treguan se vendet e njohura turistike ishin plotësisht të përmbytura.

Sheshi i Shën Markut, një nga pjesët më të ulëta të qytetit, ishte një nga zonat më të goditura. E Bazilika e Shën Markut u përmbyt për herë të gjashtë në 1,200 vjet.

Dy njerëz vdiqën në ishullin Pellestrina, territor që ndan Lagunën e Venedikut nga Deti Adriatik.

Kryetari i Bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, tha se do të shpallë gjendje emergjente dhe paralajmëroi se përmbytja do të lë pasoja të përhershme.

Një numër biznesesh u prekën. Ndërsa, karriget dhe tavolinat u panë duke lundruar jashtë kafeneve dhe restoranteve.

Në dyqane, punëtorët u përpoqën ta zhvendosnin mallin e tyre larg ujit për të parandaluar ndonjë dëmtim të mëtejshëm.

Një projekt për të mbrojtur qytetin nga përmbytja, ka filluar që nga viti 2003, por është penguar nga rritja e kostove, skandalet dhe vonesat.

Qeveria synon të ndërtojë një numër portash lundruese për të mbrojtur qytetin gjatë valëve të larta. Italia u godit nga reshjet e mëdha këtë mesjavë, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës.