Video

Rritet presioni ndaj Trumpit për ta sanksionuar Turqinë për sulmet ndaj kurdëve në Siri

Presioni po shtohet drejt SHBA-së, për ta ndaluar Turqinë ta vazhdojë ofensivën e saj kundër zonave kurde në Siri.

Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, paralajmëroi për pasoja të rënda, ndërsa Sekretari i Thesarit nuk e hodhi poshtë mundësinë e sanksioneve të reja, raporton KTV.

Vendimi i presidentit Donald Trump për t’i tërhequr trupat amerikane, inkurajoi Qeverinë turke që të hyjë në veri të Sirisë.

Ai ka thënë se do të donte që SHBA-ja të negociojë një armëpushim mes aleatit të NATO-s dhe kurdëve.

Presidenti turk, Erdogan, megjithatë, thotë se operacioni ushtarak do të vazhdojë. Erdogan thotë se dëshiron ta krijojë një zonë të sigurt në veri të Sirisë, pa militantët kurdë.

Sipas OKB-së, më shumë se 100,000 njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre qëkurse sulmi filloi të mërkurën.

Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, aleatët kryesore të SHBA-së, po përballen me sulme të shumta tokësore dhe ajrore turke përgjatë një shtrirjeje prej 120 kilometrave. Dhjetëra luftëtarë nga Forcat Demokratike Siriane dhe fraksionet pro-turke janë vrarë.

Ushtria turke konfirmoi vdekjen e një ushtari dhe tha që tre të tjerë ishin plagosur. Të paktën 11 civilë janë vrarë dhe grupet humanitare thonë se numri i personave të prekur do të rritet.

Pentagoni tha që baza amerikane pranë qytetit verior sirian Kobane, ishte kapluar nga flakët si pasojë e një predhe të hedhur nga pozicionet turke.