Video

Punëtorët teknikë në UP protestojnë për pagën e ulët e kushtet e këqija

Punëtorët teknikë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, paraditja e së premtes nuk i ka gjetur në vendet e tyre të punës, por në protestë para Rektoratit.

Ata, për një orë, shprehën diskriminimin që thonë se po u bëhet nga kompani private të cilat janë të kontraktuara nga UP-ja, raporton KTV.

Kërkesë e tyre është që të kthehen nën menaxhimin e UP-së dhe paga e tyre të mos jetë më e ulët se 350 euro.

Këtyre punëtorëve u ka dalë në përkrahje Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës.

Disa prej protestuesve, bashkë me kryesindikalistin, u ftuan në takim në Rektorat.

Pas takimit me rektorin, kryetar i Sindikatës, Azemi, tha se nuk pajtohen me kategorizimin e pagës që ua ofroi UP-ja.

Ai shtoi se kanë zbuluar që, në bazë të kontratës, janë 40 punëtorë më pak të angazhuar nga kompanitë private.

Për këtë, Azemi ftoi Prokurorinë të kryejë hetime.

Punëtorët teknikë paralajmëruan se nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, atëherë do të hyjnë edhe në grevë.