Video

Kërkimfalja historike

Tetëdhjetë vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, i ka kërkuar falje Polonisë, siç ka thënë, për tiraninë që shfaqën nazistët.

Stainmeieri, së bashku me liderë tjerë të botës, ndodhet në Poloni për të përkujtuar fillimin e Luftës së Dytë Botërore që filloi me lëshimin e bombave në qytetin polak, Wielun.

Presidenti gjerman, gjatë fjalimit të tij për kërkim faljeje, dënoi dëshirën për shfarosje që nisi luftën botërore.

“Qëndroj kokulur para jush, para atyre që mbijetuan dhe para të moshuarve dhe të rinjve të qytetit të Wielunit. Përkulem para viktimave polake të tiranisë së Gjermanisë dhe u lutem për falje”, ka thënë ai.

Terrorin gjerman ndaj polakëve e dënoi edhe presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.

“Qyteti i Wielunit është shembull se çfarë lufte është zhvilluar; një luftë totale, një luftë pa rregulla, një luftë shkatërrimtare”, ka thënë Duda.

E, në ceremoninë kryesore gjatë mbrëmjes, morën pjesë edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence. Polonia pësoi humbjet më të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth 6 milionë polakë u vranë për gjashtë vjet, sa zgjati lufta.

Tetëdhjetë vjet pas, Polonia ende kërkon kompensimin për vdekjet dhe shkatërrimet që Gjermania ia solli gjatë Luftës së Dytë Botërore që nisi më 1 shtator të vitit 1939 me forcat ajrore gjermane, që bombarduan Wielunin, qytet i qetë që nuk kishte bazë të forcave ushtarake.